Tatimet zbulojnë evazion në vlera të larta në shitjen e apartamenteve në Durrës dhe Lezhë
Kontrollet e Administratës Tatimore në sektorin e ndërtimit kanë zbuluar raste të evazionit fiskal me diferenca të mëdha mes çmimeve reale të shitjes dhe atyre të deklaruara në kontratat noteriale.
Zgjerohen kontrollet pas Tiranës dhe Vlorës
Pas verifikimeve në Tiranë, Vlorë dhe Sarandë, Drejtoria e Hetimit Tatimor dhe Drejtoria e Verifikimit dhe Koordinimit në terren kanë përqendruar kontrollet në Durrës dhe Lezhë. Sipas njoftimit zyrtar, veprimet janë ndërmarrë në kuadër të planit operacional për sektorin e ndërtimit dhe tregun imobiliar.
Administrata Tatimore bën me dije se në agjencitë imobiliare dhe subjektet ndërtuese të kontrolluara janë konstatuar shkelje të rënda të legjislacionit tatimor, përfshirë përdorim të dokumentacionit jotatimor dhe mospërputhje të theksuara mes të dhënave financiare të deklaruara dhe aktivitetit real ekonomik.
Shitje me çmime reale më të larta se deklarimi
Sipas Tatimeve, njësoj si në qytetet e tjera të kontrolluara më herët, edhe në Durrës dhe Lezhë janë evidentuar raste të evazionit fiskal në vlera të larta. Praktika e konstatuar konsiston në shitjen e apartamenteve dhe pasurive të tjera me çmime shumë herë më të larta se ato të pasqyruara në kontratat noteriale dhe të raportuara pranë administratës tatimore, me qëllim uljen e detyrimeve fiskale.
Hetimi po vijon me analizimin e deklarimeve të subjekteve dhe të të dhënave të siguruara nga njësitë kompjuterike të sekuestruara. Sipas informacionit paraprak, janë identifikuar raste shitjesh në cash, pagesa bonusesh në para në dorë dhe praktika të tjera në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Materialet do të referohen në Prokurori
Në përfundim të hetimeve, Drejtoria e Hetimit Tatimor do të referojë pranë prokurorive përkatëse materialet për çdo rast ku konstatohen elementë të veprës penale të evazionit fiskal. Administrata Tatimore thekson se kontrollet në sektorin e ndërtimit dhe tregun imobiliar do të intensifikohen dhe do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit, në funksion të formalizimit të ekonomisë dhe rritjes së të ardhurave buxhetore.